www.Tropoja-center.tk

Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.
www.Tropoja-center.tk

((Albania Hackers Group))


    Si perfunduan kokat e shtetit shqiptar.

    avatar
    Admin
    Admin
    Admin


    Si perfunduan kokat e shtetit shqiptar. Empty Si perfunduan kokat e shtetit shqiptar.

    Mesazh  Admin Sat Mar 28, 2009 2:43 pm

    Si perfunduan kokat e shtetit shqiptar
    Toptani, si e mori në dorë qeverinë pas Vidit
    Në fund të vitit 1913 dhe në fillim të vitit 1914, Shqipëria në pikëpamje politike ishte në një pozitë të mjeruar, sepse nuk kishte një qeverisje unike në gjithë vendin. Në të vërtetë, asokohe në Shqipëri sundonin shumë qeveri lokale si: qeveria e Vlorës e kryesuar nga Ismail Qemali; në Durrës nga 12 tetori 1913 vepronte “pleqësia e Durrësit” e Esat Pashë Toptanit etj. Komisioni Ndërkombëtar i Kontroll it (KNK) i kërkoi edhe Esat Pashë Toptanit, që ta shpërndante “Pleqësinë

    e Durrësit” dhe ai këtë e bëri më 12 shkurt 1914, pasi mori premtimin nga KNK-ja se më 21 shkurt do ta kryesonte delegacionin shqiptar në Gjermani, për t’i dhënë kurorën princ Vidit në emër të shqiptarëve.
    Esat Pasha, me qëllim që të siguronte një pozitë me rëndësi në kabinetin qeverisës të princ Vidit, zyrtarisht deklaroi se e mirëpret caktimin e tij për princ të Shqipërisë, por fshehurazi vazhdoi tërë kohën, të nxiste lëvizjen për një princ mysliman në vend. Esat Pashë Toptani lindi më 13 qershor 1863 në Tiranë. Ai ishte mbështetës i xhonturqve, si dhe deputet i Parlamentit turk nga pala shqiptare. Gjatë luftërave ballkanike ishte komandant i forcave otomane në hapësirën Shkodër - Mali i Zi. Ministër i Brendshëm për pak kohë gjatë qeverisjes së princ Vidit. Arrestohet nga regjimi i Vidit për trazira. Më 5 tetor 1914, pas largimit të Vidit dhe vendosjes së influencës së tij në Tiranë, ai deklarohet kryeministër i Shqipërisë. Toptani u ekzekutua më 13 qershor 1920 nga Avni Rustemi në Paris. Kriza e parë e rëndë e qeverisë së princit, ndodhi më 19 maj. E nisur si një incident i vogël, si një revoltë fshatarësh, falë një sërë keqkuptimesh, mosmarrëveshjeve e dyshimeve, brenda pak orësh do të shndërrohej në një konflikt kompetencash ndërmjet xhandarmërisë ndërkombëtare dhe qeverisë shqiptare, për të degjeneruar shumë shpejt në akuza të ndërsjella tradhtie, që shpunë në arrestimin dhe syrgjynosjen e Esat Pashës. Më 17 maj, në Shijak, një fshat midis Durrësit dhe Tiranës, banda shqiptarësh të armatosur ishin ndeshur me një kompani të veçuar të xhandarmërisë. Mesa dukej, ata kërkonin përjashtimin nga shërbimi ushtarak për një dhjetëvjeçar, ndoshta edhe largimin e Esatit dhe pas të gjithë gjasave, synonin të hynin në Durrës për të paraqitur kërkesat e veta. Esat Pasha i dha urdhër majorit Sluys të vendoste dy mitraloza në rrugë për të mbrojtur kryeqytetin. Sluys refuzoi ta zbatonte dhe iu përgjigj se merrte urdhra vetëm nga princi ose eprorët e tij holandezë. Kjo ishte një fyerje, që një ministër i Luftës, i porsaemëruar gjeneral nga vetë princi dhe, për më tepër, kreu i një fisi me influencë dhe pasha osman, nuk mund ta duronte. Për pasojë, Esati i kërkoi princit ta shkarkonte oficerin. Kur Vidi refuzoi ta pushonte, duke argumentuar se kishte nevojë për majorin holandez, madje i këshilluar edhe nga ministri i Italisë, Aliotti vendosi t’i japë leje për një kohë të papërcaktuar dhe më pas për ta transferuar në Shkodër, Esati dha dorëheqjen nga qeveria. Princi e ktheu prapa dorëheqjen e ministrit të tij, por në këtë pikë u vu re një përmbysje pozicionesh krejt e beftë dhe e papritur. Pasi u prit nga princi, Sluys arriti ta bindë që pashai ishte tradhtar dhe e shtyu që të merrte ndaj tij masën e arrestit. Më 19 maj, Sluys i ngarkuar të kryente arrestimin, rrethoi shtëpinë e Esatit. Pas disa shkëmbimesh zjarri, pashai u dorëzua.

    Fan Noli, një poliglot në krye të Shqipërisë
    Dashurinë për popullin e atdheun ia ushqyen rrethi familjar e mjedisi shqiptar i Qytezës. Ende i ri, Fan Noli u hodh në luftën për çlirimin e atdheut nga zgjedha osmane. Kultura e gjerë që mori i dha atdhetarizmit të tij përmbajtje të përparuar. Luftën për çlirimin kombëtar e konceptonte si luftë me armë e pendë. Fan Noli përdori kishën si tribunë për forcimin e shqiptarizmit. Përkrahës i përdorimit të dhunës për t’u çliruar nga zgjedha e huaj, mbështeti veprimet e çetave dhe kryengritjet e mëdha me armë kundër sundimit osman (1910-1912). Pas Shpalljes së Pavarësisë, u vu në shërbim të qeverisë kombëtare të Vlorës. Me vështrim të mprehtë politik e bindje demokratike, ai e kuptoi se ruajtja e pavarësisë e përparimi shoqëror nuk mund të arriheshin, veçse me luftë të vendosur kundër armiqve të brendshëm çifligarë e konservatorë dhe kundër armiqve të jashtëm, të lidhur midis tyre në dëm të lirisë, tërësisë territoriale e zhvillimit demokratik të vendit. Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme e të jashtme, i shtjelloi në shkrime e fjalime në vitet 1921-1924. Luftoi që shteti të vinte në jetë parimet e demokracisë së përparuar borgjeze. Në krye të qeverisë, Fan Noli i shpalli këto parime demokratike, por ai dhe bashkëpunëtorët e tij nuk treguan vendosmërinë e duhur për t’i zbatuar deri në fund. Idetë e Nolit u zhvilluan, u poqën dhe arritën kulme të mendimit shqiptar. I mërguar, vazhdoi të ishte për disa vjet tribun i demokracisë shqiptare. Kështu, Noli do të bëhej një figurë udhëheqëse për vendosjen e rendit demokratik. Noli në qershor të 1924-ës do të zgjidhet kryeministër i Shqipërisë dhe për 6 muaj do të përballonte problemet ekonomike dhe politike. Programi i tij do të rezultonte i parakohshëm për bujqit dhe feudalët që nuk njihnin demokracinë e Kuvendin Popullor. Noli i rritur jashtë Shqipërisë, nuk e njihte dhe nuk mund ta njihte realitetin e vendit të tij. Në shtator të 1924, kryeministri Fan Noli dhe me Luigj Gurakuqin do të përfaqësonin Shqipërinë në Asamblenë e pestë të Lidhjes të Kombeve. Fjalimi i mbajtur nga kryeministër Noli, pati jehonë të madhe jo vetëm në vendet anëtare të Lidhjes, por edhe në vendet e tjera. Fan S. Noli si askush tjetër ngriti zërin për afrimin e Shqipërisë me botën, ngriti zërin për padrejtësitë historike që i janë bërë kombit shqiptar. Ai ngriti zërin dhe luftoi për liritë demokratike dhe mendimin e lirë. Ishte për një demokraci të tipit perëndimor, me pluralizëm politik dhe zgjedhje të lira. Për këtë u jepte përparësi marrëdhënieve me SHBA-të dhe mënyrës amerikane të jetesës. Veprimtaria diplomatike përben një faqe nga më të ndritura në jetën e Nolit.

    Ahmet Zogu
    Roli i Zogut në qendër të luftës politike në Shqipëri në vitet 1922-1939 ishte përcaktues. Ahmet Zogu gjatë këtyre viteve të pjesëmarrjes aktive në jetën politike shqiptare, kishte mësuar shumë. Ai kishte arritur në përfundimin se gëzonte një pjesë të mirë të cilësive të domosdoshme për politikën shqiptare: dualiteti politik i kishte shërbyer së tepërmi. Aftësia e tij në strategjinë ushtarake, por sidomos, për të tërhequr njerëzit pas vetes ishte e paarritshme. Zogu qëndroi në postin e kryeministrit pak më tepër se një vit. A Zogu lindi më 8 nëntor 1895, në Burgajet të Matit dhe vdiq më 9 prill 1961 në Sourenses Francë, pasi vuante nga kanceri. Në momentet e fundit të jetës së tij, Ahmet Zogu i kërkoi Geraldinës pistoletën që të vriste veten. Bashkëshortja ia dha pa fishekë, por gjendja e Ahmet Zogut ishte tejet e rëndë, aq sa nuk mundte të ngrinte as armën për vetëvrasje. Ahmet Zogu ka një karrierë politike brilante. Ai do të ishte President i Shqipërisë nga 1925 deri më 1928 dhe mbret më 1928 deri më 1939. Zogu u bë kryetar i një partie popullore reformiste. Ai ngriti postet në ministri nga viti 1920 dhe i forcoi pushtetin me anë të forcës në qershor 1924, por ai u kthye me asistentët jugosllavë në dhjetor dhe u zgjodh president më 1 shkurt të 1925-ës. Por kjo nuk i mjaftoi dhe u bë mbret më në 1 shtator 1928, Zogu ishte në një periudhë ku qeverisja e vendit ishte e trazuar dhe Shqipëria njohu qetësinë në këtë regjim. Ai pati një marrëveshje me Italinë më 1925-ën dhe ishte i kujdesshëm në marrëdhëniet me këtë shtet.
    Ngritja e Zogut
    Në periudhën midis viteve 1920-1922 u ndryshuan shtatë kryetarë qeverish. Në këtë periudhë, Shqipëria ishte jo vetëm tepër e përçarë, por këtij shteti të vogël i mungonte edhe shumica e kushteve paraprake të domosdoshme që karakterizojnë unitetin shtetëror të një vendi, si shkolla e lartë e centralizimit, mësimi fetar dhe gjuhësor, udhëheqja e një klase të ndërgjegjshme, nxitja intelektuale e jashtme, si dhe refuzimi sistematik i sundimit të huaj. Në periudhën e viteve 1920-1922, grupet e ndryshme politike e fisnore përlesheshin për pushtet. Largimi i pjesshëm i pluhurit politik në grupet politike si rezultat i përpjekjeve të Zogut bëri që të kishin përplasje me Fan Nolin. Zogu dhe bashkëpunëtorët e tij besonin në një qeverisje të fortë me një prijës që të vendoste së pari qetësinë dhe së dyti, për të vazhduar përparimin e vendit. Ndërsa Noli dhe ndjekësit e tij këshillonin të bënin ndryshime të shpejta radikale, me drejtime nga jashtë. Gjatë kohës që kishte qenë kryetar i qeverisë, Ahmet Zogu kishte vepruar në një mënyrë pak a shumë arbitrare, dhe kishte humbur besimin e kolegëve të tij në kabinet, të cilët ishin anëtarë të klikës. Ndërkohë, dhe në vend, pakënaqësia po rritej. Në Shqipërinë e Jugut njerëzit prisnin reformën agrare, dhe kjo popullsi ishte e detyruar të paguante një pjesë të madhe të taksave. Me gjithë këto pakënaqësi, Zogu ishte i bindur se ishin pjekur kushtet për të stabilizuar pozitën e vet nëpërmjet thirrjes së një asambleje kushtetuese, e cila do të caktonte kryeqytetin e vendit, do të vendoste natyrën e qeverisjes dhe do të rishikonte statutin e Lushnjës. Nëpërmjet kontrollit të këtyre procedurave, kryeministri do të arrinte të krijonte shtetin ideal për veten e tij. Për të, Zogu mendonte të mbështetej te popullsitë e malësisë, si dhe të popullsisë së Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Zogu kishte mundur të siguronte mbështetjen e njëzetepesë deputetëve, të gatshëm ta ndiqnin në çdo rrethanë. Zogu po përpiqej t’i jepte fund sistemit të përçarjeve partiake dhe të krijonte një qeveri krejtësisht nën kontrollin e tij. Anëtarët e Klikës u bashkuan për të prishur planet e kryeministrit, fillimisht me propagandë dhe pastaj me grusht shteti. Si fillim e nisi Shefqet Korça, komandant i xhandarmërisë, që mori iniciativën dhe deklaroi se nuk do t’i nënshtrohej qeverisë. Përpara se kryeministri Ahmet Zogu të vepronte kundër Korçës, një tjetër komplot ishte përgatitur nga koloneli Haki, së bashku me oficerë të tjerë një grusht shteti, që do të kryhej më 28 Nëntor, ditën e festës kombëtare. Plani përfshinte vrasjen e kryeministrit dhe shpalljen e një qeverie të ushtarakëve. Por kryeministri u pengua të vepronte kundër komplotistëve, pasi ministrat e Punëve Botërore, Arsimit, Luftës, dhe Drejtësisë bashkë me regjentin Sotir Peçi deklaruan dorëheqjen. Në këtë kohë, vendi ishte i futur në një qorrsokak politik dhe juridik. Zogu ndodhej para tri alternativave: të jepte dorëheqjen dhe t’ia linte vendin “Klikës”, të hynte në kompromis me të për të ruajtjen e statukuosë dhe të fitonte kohë; të përdorte forcat e qeveritare, për të shtypur dhe për të çuar në litarë konspiratorët.

    Kompromisi
    Për këtë, Zogu i këshilluar edhe nga ministri i Britanisë së Madhe zgjodhi alternativën e dytë për kompromis. Qëndrimi i përfaqësuesve të huaj e shpëtoi situatën. Të gjithë ishin të bindur se kompromisi ishte i nevojshëm në këtë gjendje ekzistuese. Kompromisi i arritur ishte tipik shqiptar. Zogu ruante postin e kryeministrit, por funksioni i ministrit të Brendshëm do të kryhej në bazë të një sistemi rotacioni të përjavshëm prej të gjithë anëtarëve të kabinetit qeverisës. Ky ishte kompromisi i vetëm i pranuar prej palëve, të cilat mendonin se pas zgjedhjeve do të arrinin të shtypnin lehtësisht çfarëdo lloj opozite që do të krijohej. Kështu, në mbarim të vitit 1923 u çel fushata për zgjedhjet e Kuvendit kushtetues. Ishin të parat dhe të vetmet zgjedhje parlamentare që janë kryer në Shqipëri. U krijuan fletore, u themeluan parti në Korçë dhe Tiranë, për të paraprirë kandidatët e tjerë në zgjedhje. Duke shfrytëzuar lidhjet me Shefqet Vërlacin, Zogu arriti të tërhiqte pas vetes shumicën e bejlerëve, por pa siguruar një shumicë absolute për të krijuar qeverinë. Për këtë Zogu ishte në gjendje të dëshpëruar, ai e kuptonte se nuk mund të qëndronte në postin e kryeministrit, por prapë nuk donte të shpërndante koalicionin qeverisës. Në mes të këtij kaosi politik, më 24 shkurt Zogu shpëtoi nga atentati i Beqir Valterit, tek po ngjiste shkallët e ndërtesës së Parlamentit. Megjithëse i plagosur në dorë, kofshë dhe bark, Ahmet Zogu tregoi gjakftohtësi të jashtëzakonshme dhe hyri në sallën e Parlamentit ku zuri karrigen e tij qeveritare, pa dhënë asnjë shenjë alarmi, duke evituar kësisoj një gjakderdhje fatale. Zogu u shoqërua për në shtëpi me një eskortë të fortë. Atentati ndaj Zogut çoi në kristalizim të 2 grupeve në Parlament. Partia e opozitës me Fan Nolin dhe partia me përkrahësit e Zogut që kundërshtonin Avni Rustemin. Atentati e detyroi Zogun të largohej nga jeta politike, pasi në bazë të zakonit shqiptar, ai nuk mund të dilte nga shtëpia deri sa krimi të shpaguhej. Plagët e pengonin të merrte pjesë aktivisht në jetën politike. Por kryesorja ishte se atentati e bindi Zogun se qeveria e tij nuk mund të mbahej më në këmbë. Më 1923-in, pas një viti e dy muaj në postin e kryeministrit, Zogu dha dorëheqjen. Lufta politike, pas kësaj ngjarjeje u përqendrua për formimin e një qeverie. Për këtë, regjentët në mars vendosën qeverinë e përgatitur nga Zogu dhe emëruan Shefqet Bej Vërlacin si kryeministër. Roli i Zogut gjatë kësaj periudhe dhe përpjekjet e tij për rikthimin e pushtetit ishin të aktit të fundit që e shndërroi pakënaqësinë ekonomike dhe politike në revoltë të armatosur. Plani i tij ishte që të krijonte një situatë me të cilën qeveria do të detyrohej të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Ahmet Zogu do të ishte aktor i padiskutueshëm në politikën shqiptare të asaj kohe. Ai u ngjit në postin ministror në vitin 1920 dhe e forcoi pushtetin me anë të forcës në qershor 1924, kur u kthye me ndihmën e jugosllavëve në dhjetor dhe u zgjodh president më 1 shkurt të 1925-ës. Ai do të ishte President i Shqipërisë deri më 1928. Ahmet Zogu do të shpallej mbret i shqiptarëve në vitin 1928, post të cilin e mbajti deri në vitin 1939. Zogu ishte në krye të shtetit shqiptar në një periudhë ku qeverisja e vendit ishte e trazuar, dhe Shqipëria njohu qetësinë në atë regjim. Më 6 prill, Ahmet Zogu u largua nga Shqipëria dhe u end në mërgim deri sa vdiq në vitin 1961

      Ora është Thu May 16, 2024 9:32 pm